Komuna e Dibrës nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Digital School dhe mbështet talentet e reja në STEM

Sot, në ambientet e Komunës së Dibrës, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Dibrës dhe Digital School, me qëllim avancimin e edukimit digjital, zhvillimin e aftësive teknologjike dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e qytetit tonë.

 

Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i Komunës, Fisnik Mela, si dhe përfaqësueset e Digital School, Adisa Mullarexha Krivca (Bashkëthemeluese – Digital School Dibër) dhe Arjeta Aliu (Drejtoreshë Ekzekutive – Digital School Maqedoni). Ky bashkëpunim synon organizimin e trajnimeve, aktiviteteve edukative dhe projekteve inovative në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit për nxënësit, mësimdhënësit dhe komunitetin lokal.

Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për të rinjtë e talentuar, Komuna e Dibrës ka marrë vendim për të mbështetur financiarisht nxënësin Eugen Papraniku, i cili do të përfaqësojë qytetin tonë në garën ndërkombëtare “STEM Olympiad”.

Eugeni ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, duke u renditur në Top 10 dhe duke fituar Çmimin e Parë në fazën finale (online) të kësaj olimpiade prestigjioze, ku marrin pjesë mbi 9,200 nxënës nga 72 shtete. Pas këtij suksesi, ai është kualifikuar për STEM Grand Final, që do të mbahet në Romë.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve që përfaqësojnë qytetin në skenën ndërkombëtare dhe në krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre profesional dhe edukativ.

Ky bashkëpunim dhe këto suksese janë dëshmi e potencialit të madh që kanë të rinjtë tanë dhe e rëndësisë së investimit në arsim, teknologji dhe inovacion.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT