Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Tetovë njofton rikthimin e emisionit të saj të njohur, podcastit “Mesazhe Islame”, pas suksesit të tij në muajin e Ramazanit. Ky projekt vjen si një bashkëpunim i ngushtë me televizionin TV Koha, duke synuar të mbajë gjallë komunikimin shpirtëror dhe kulturor me besimtarët gjatë gjithë vitit.
Podcasti “Mesazhe Islame” është konceptuar si një platformë reflektimi mbi çështjet shpirtërore dhe shoqërore. Qëllimi kryesor i këtij formati është që përmes ligjëratave dhe diskutimeve t’u ofrojë shikuesve një qasje të qartë mbi vlerat islame dhe trashëgiminë kulturore, duke iu përgjigjur nevojave të besimtarëve për informim fetar të saktë dhe bashkëkohor.
Sonte, në emisionin e parë të këtij sezoni, mysafir do të jetë iniciatori i këtij aktiviteti, Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili. Nën moderimin e hoxhës së nderuar Arsim ef. Iseni, në studio do të diskutohet mbi rëndësinë e vazhdimësisë së punëve të mira, konkretisht mbi Haxhin si kusht i pestë i islamit.
Ju bëjmë me dije se çdo javë në ekranet e TV Koha do të jenë të ftuar personalitete të ndryshme nga jeta fetare, akademike dhe shoqërore, duke përfshirë hoxhallarë e profesorë të njohur.
Për të gjithë të interesuarit, podcasti do të transmetohet sipas kësaj skeme:
Premiera: Çdo të enjte, ora 21:30 në TV Koha.
Repriza: Çdo të premte, në prag të namazit të Xhumasë.
Përveç transmetimit televiziv, emisioni do të jetë i disponueshëm për publikun e gjerë edhe përmes rrjeteve sociale, konkretisht në faqen zyrtare të TV Koha dhe Myftinisë së Tetovës në Facebook.
Myftinia fton të gjithë besimtarët dhe dashamirët e fjalës së bukur që ta ndjekin këtë program, i cili premton të jetë një udhërrëfyes i vlefshëm në rrugëtimin e tyre shpirtëror.


