Kupa e Botës FIFA 2026 pritet të shënojë një kapitull të ri në historinë e futbollit botëror, jo vetëm për shkak të formatit të zgjeruar me 48 kombëtare dhe organizimit të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, por edhe për shkak të fondit rekord të çmimeve financiare.
Këshilli i FIFA-s, në mbledhjen e zhvilluar në Doha në prag të finales së Kupës Ndërkontinentale, ka miratuar një fond total prej 727 milionë dollarësh, i cili do të shpërndahet në kuadër të Kupës së Botës 2026, duke rritur ndjeshëm ndikimin ekonomik të këtij turneu për federatat pjesëmarrëse.
Shqipëria dhe Kosova ende nuk e kanë siguruar kualifikimin në këtë Botëror, por mbeten në garë përmes ndeshjeve “play-off”. Në rast të një kualifikimi historik, përfitimet financiare janë tashmë të qarta.
Çdo njëra nga 48 kombëtaret pjesëmarrëse do të përfitojë minimalisht 9 milionë dollarë, ndërsa FIFA ka paraparë edhe një shtesë prej 1.5 milionë dollarësh për mbulimin e shpenzimeve të përgatitjes. Kjo nënkupton se Shqipëria ose Kosova do të arkëtonin të paktën 10.5 milionë dollarë vetëm për pjesëmarrje në turne.
Shuma përfundimtare rritet në varësi të ecurisë në turne:
– Kampioni i botës: 50 milionë dollarë
– Nënkampioni: 33 milionë dollarë
– Vendi i tretë: 29 milionë dollarë
– Vendi i katërt: 27 milionë dollarë
– Vendet 5–8: 19 milionë dollarë
– Vendet 9–16: 15 milionë dollarë
– Vendet 17–32: 11 milionë dollarë
– Vendet 33–48: 9 milionë dollarë
Një kualifikim në Botërorin 2026 do të ishte jo vetëm sukses sportiv historik për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe një injeksion i rëndësishëm financiar për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në të dyja vendet.


