Pozicioni i qendërsulmuesit ka qenë prej kohësh pika më problematike e Milanit dhe situata është përkeqësuar edhe më shumë pas mungesës së zgjatur të Santiago Gimenez për shkak të dëmtimit. Kjo ka detyruar drejtuesit kuqezi të rikthehen fuqishëm në tregun e transferimeve për të mbuluar boshllëkun në repartin ofensiv.
Në këtë kontekst, drejtori sportiv Igli Tare ka arritur marrëveshje me sulmuesin gjerman Niclas Füllkrug, i cili pritet të largohet nga West Ham pas një fillimi zhgënjyes të sezonit. Sipas burimeve pranë klubit, akordi mes palëve është praktikisht i mbyllur.
Ish-sulmuesi i Borussia Dortmund do të transferohet te Milani në formë huazimi, me opsion blerjeje në fund të sezonit. Aktualisht po diskutohen detajet përfundimtare të shumës së blerjes, ndërsa synimi i klubit është që lojtari të vihet sa më shpejt në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri.
Milani dëshiron ta regjistrojë Füllkrugun në kohë për ndeshjen e 2 janarit kundër Cagliarit, në mënyrë që ai të mund të japë menjëherë kontributin e tij.
Opsioni i blerjes do t’u mundësojë kuqezinjve ta vlerësojnë performancën e sulmuesit gjatë muajve në vijim dhe më pas të marrin një vendim për të ardhmen e tij, e cila mund të lidhet edhe me zhvillimet rreth Dusan Vlahovic, një emër që mbetet objektivi kryesor i Allegrit për afatin kalimtar të verës.


