Kompania amerikane e industrisë së mbrojtjes, AM General, ka konfirmuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje me Republikën e Kosovës për furnizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me pajisje ushtarake moderne. Njoftimi është bërë publik përmes profilit zyrtar të kompanisë në rrjetin profesional “LinkedIn”.
Sipas deklaratës, palët kanë finalizuar një kontratë kornizë trevjeçare në kuadër të Shitjeve Direkte Komerciale (DCS), e cila përfshin Sisteme Mobile Howitzer (MHS) të montuara në automjete HUMVEE Hawkeye me kalibër 105 mm. Marrëveshja parasheh gjithashtu furnizimin me automjete të ndryshme mbështetëse nga familja HUMVEE, pjesë rezervë, si dhe shërbime trajnimi dhe mirëmbajtjeje.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesi i lartë i AM General, John Chadbourne, Zëvendëspresident Ekzekutiv për Zhvillim të Biznesit. Chadbourne u shpreh se kompania është e nderuar për bashkëpunimin me institucionet e mbrojtjes së Kosovës.
“Ky projekt dëshmon angazhimin tonë për të ofruar zgjidhje të avancuara që i përgjigjen kërkesave të mbrojtjes moderne. Sistemet që do të dorëzohen janë të dizajnuara për të rritur kapacitetet operative dhe sigurinë e forcave të armatosura”, theksoi ai.
AM General sqaroi se sistemi HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë “Soft Recoil”, e cila redukton ndjeshëm ndikimin pas goditjes dhe ruan integritetin e automjetit gjatë përdorimit operacional.
Përveç këtyre sistemeve, FSK-ja do të pajiset edhe me automjete ndihmëse, përfshirë ambulanca, mjete për komandë dhe kontroll, si dhe kamionë të tjerë logjistikë. Sipas vlerësimeve, dorëzimi i pajisjeve pritet të nisë brenda dy viteve të ardhshme.
Kjo marrëveshje shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe në thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


