Republika e Maqedonisë së Veriut shënon një tjetër hap konkret drejt integrimit evropian. Në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, në nivelin më të lartë institucional dhe në prani të komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për shkëmbim elektronik të të dhënave ndërmjet RMV-së dhe Bullgarisë.
Memorandumin e nënshkruan drejtori i Drejtorisë së Doganave të RMV-së, Boban Nikollovski, dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare Doganore të Republikës së Bullgarisë, Georgi Dimov. Me këtë dokument mundësohet shkëmbimi i drejtpërdrejtë dhe elektronik i të dhënave doganore, me synim përshpejtimin e tregtisë legale dhe parandalimin e mashtrimeve doganore.
Sipas autoriteteve, ky mekanizëm do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrencës së ekonomisë maqedonase në tregun e Bashkimit Evropian dhe në forcimin e sigurisë doganore.
Nikollovski theksoi se ky hap dëshmon angazhimin e qartë institucional për integrim të përshpejtuar evropian.
“Me këtë marrëveshje po e trasojmë rrugën drejt integrimit në tregun e vetëm të BE-së dhe përmirësimit të konkurrencës së ekonomisë maqedonase. Mbështetja nga Bashkimi Evropian është e fortë dhe e dukshme, gjë që konfirmohet edhe nga ngjarja e sotme”, deklaroi Nikollovski nga Brukseli.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe drejtues të administratave doganore nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, si dhe drejtori i CEFTA-s dhe drejtori i Komunitetit të Transportit.


