Qeveria nga 1 janari me shportë mesatare konsumatore: Llogaritje zyrtare për familjet dhe standardin jetësor

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, paralajmëroi se duke filluar nga 1 janari, përveç shportës minimale konsumatore që llogaritet nga sindikatat, Qeveria do të përgatisë edhe një shportë mesatare konsumatore zyrtare. Kjo shportë do të bazohet në nevojat e një familjeje me katër anëtarë dhe do të shërbejë si instrument orientues për politikat ekonomike dhe ruajtjen e standardit jetësor.

 

Kjo çështje do të jetë temë diskutimi në Këshillin Ekonomik dhe Social, mbledhja e të cilit është planifikuar për 22 dhjetor.

Risteski sqaroi se llogaritja e shportës mesatare konsumatore do të bëhet nën mbikëqyrjen e sindikatave dhe punëdhënësve, me qëllim që të vlerësohet dhe, nëse ka pajtueshmëri, të miratohet si referencë zyrtare në nivel shtetëror.

Sipas tij, parametrat për llogaritje do të merren nga çmimet në supermarketet më të mëdha në vend, duke u fokusuar në produktet bazë ushqimore dhe shpenzimet e domosdoshme për një jetë mesatare. Në konsideratë do të merren edhe dallimet rajonale, si dhe sezonaliteti i frutave dhe perimeve gjatë vitit.

Ai shtoi se Qeveria planifikon të përgatisë edhe shporta të tjera konsumatore, për familje me dy ose tre anëtarë, si dhe për pensionistët. Këto modele do të diskutohen dhe harmonizohen më tej në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social.

Sa i përket pagës minimale, Risteski theksoi se aktualisht ekziston një ligj i përhershëm që përcakton metodologjinë e llogaritjes së saj, sipas të cilit vendimi për rritjen duhet të merret deri më 31 mars 2026.

Megjithatë, ai nënvizoi se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbeten të hapura për dialog me sindikatat dhe punëdhënësit. Në rast se arrihet marrëveshje për ndryshim të formulës ekzistuese dhe rritje më të madhe të pagës minimale, Qeveria do ta respektojë atë. Deri atëherë, sipas ligjit aktual, rritja e pagës minimale pritet të jetë nga 1.700 deri në 2.000 denarë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT