TRABZON – Ernest Muçi vazhdon të jetë njeriu i momentit në kampionatin turk, duke u shndërruar në një makth për mbrojtësit kundërshtarë. Edhe pa shënuar apo asistuar direkt, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka vjedhur vëmendjen e të gjithëve në ndeshjen ndaj Rizesporit me një veprim që po cilësohet si “pastër art”.
Gjatë aksionit të golit të vetëm të takimit, Muçi realizoi një lëvizje mashtruese aq spektakolare, sa e nxori mbrojtësin kundërshtar krejtësisht jashtë loje, duke krijuar hapësirën e nevojshme për nisjen e sulmit që përfundoi në rrjetë. Ky moment teknik i nivelit të lartë ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke lënë pa fjalë tifozët dhe analistët.
Nuk ka munguar as reagimi i vetë klubit të Trabzonsporit, i cili përmes një postimi në llogaritë zyrtare, ka shpërndarë pamjet me ngadalësim të magjisë së shqiptarit. Me mbishkrimin e thjeshtë por domethënës “Art!”, klubi turk ka vlerësuar gjenialitetin e Muçit, i cili po vërteton çdo ditë e më shumë se është një investim i artë për ekipin.


