LONDËR – Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka zhvilluar një bisedë telefonike urgjente me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të adresuar situatën kritike në Lindjen e Mesme. Pika qendrore e diskutimit ka qenë nevoja imediate për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë globale që aktualisht po mban të paralizuar transportin detar.
Sipas zëdhënësit të “10 Downing Street”, dy liderët nënvizuan se ndërprerja e transportit po shkakton rritje galopante të kostove në nivel botëror. Gjatë kësaj bisede, Starmer i përcolli Trumpit edhe ngushëllimet për humbjen e ushtarakëve amerikanë në konflikt.
Në kuadër të përpjekjeve diplomatike, Starmer ka komunikuar edhe me kryeministrin kanadez, Mark Carney, me të cilin do të takohet të hënën për të koordinuar hapat e mëtejshëm. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa vëmendja globale është kthyer nga koordinimi mes Londrës dhe Uashingtonit për të zhbllokuar rrugët detare dhe për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës.


