ZAGREB – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i është përgjigjur me tone të ashpra retorikës së fundit të Beogradit, duke i cilësuar si “budallallëk” pretendimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një plan sulmi ndaj Serbisë. Milanoviq sqaroi se memorandumi i bashkëpunimit mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një aleancë ushtarake sulmuese, por një bashkëpunim normal sovran.
“Ju më akuzoni se po planifikoj një sulm ndaj Serbisë. Kjo nuk është mirë ta dëgjosh, përveçse është budallallëk,” deklaroi Milanoviq, duke theksuar se Kroacia, me një ushtri prej 17 mijë personash, nuk ka as kapacitet dhe as qëllim për të sulmuar askënd. Ai u shpreh i shqetësuar për armatimin e Serbisë me sisteme raketore nga Rusia dhe Kina, duke pyetur se çfarë synon Beogradi me këto shpenzime të paqarta buxhetore.
Milanoviq rikujtoi se Serbia mbetet e rrethuar nga vende të NATO-s dhe se Kroacia, si anëtare e Aleancës dhe BE-së, vepron brenda kornizave të sigurisë ndërkombëtare. Ai gjithashtu kritikoi formën e komunikimit publik të kryeministrit Plenkoviq me kreun e NATO-s, duke kërkuar që çështjet e ndjeshme të sigurisë të trajtohen me diskrecion institucional dhe jo përmes mediave.


