Irani në “Gjueti Shtrigash”: Arrestohen 500 persona për spiunazh në favor të Izraelit

TEHERAN – Autoritetet e Republikës Islamike të Iranit kanë ndërmarrë një aksion masiv sigurie, duke arrestuar 500 persona nën akuzën e spiunazhit dhe bashkëpunimit me Izraelin. Lajmi u konfirmua nga shefi i policisë iraniane, Ahmadreza Radan, i cili theksoi se të arrestuarit kanë transmetuar informacione kritike tek “armiqtë e vendit”.

 

Sipas Radan, rreth 250 nga këto raste konsiderohen si incidente të rënda të sigurisë kombëtare. Personat e prangosur akuzohen se kanë dhënë koordinata për goditjen e objektivave strategjikë, si dhe kanë filmuar pasojat e sulmeve ajrore për t’ia dërguar inteligjencës izraelite. Arrestimet janë shtrirë në të gjithë vendin, duke përfshirë zonat veriperëndimore dhe verilindore, ku janë goditur celula që mblidhnin të dhëna mbi instalimet ushtarake.

Ky operacion vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, ku Irani po përpiqet të shtrëngojë kontrollin e brendshëm pas sulmeve të njëpasnjëshme që kanë dëmtuar infrastrukturën e tij ushtarake dhe të sigurisë. Agjencia gjysmëzyrtare “Tasnim” raportoi se vetëm në një provincë u arrestuan 20 persona që shërbenin si informatorë për vendndodhjen e objekteve të ndjeshme.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT