Zyrtare: FFM pezullon stadiumin e KF Bashkimit pas incidenteve në Kumanovë

SHKUP, 20 Prill 2026 – Shtëpia e futbollit vendor ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të djeshme në stadiumin e Kumanovës. Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka njoftuar vendimin e menjëhershëm për pezullimin e terrenit të stadiumit “Bashkimi”, si pasojë e incidentit të ndodhur në ndeshjen kundër Struga Trim Lum.

 

Përveç mbylljes së stadiumit, FFM ka nisur një procedurë disiplinore ndaj klubit KF Bashkimi 1947 dhe personit Burak Hida. Lënda i është deleguar Komisionit Disiplinor për hapat e mëtejshëm ligjorë.

Kumtesa e plotë e FFM-së:

“Federata e Futbollit e Maqedonisë dënon ashpër të gjitha format e dhunës dhe sjelljes së keqe dhe do të vazhdojë të zbatojë me konsistencë rregulloret me qëllim mbrojtjen e integritetit të garës dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.

Përkatësisht, ndërsa delegati dhe ekipi i gjyqtarëve ishin ende në terren, ndodhi një incident në të cilin lojtarët dhe përfaqësuesit e ekipit mysafir u sulmuan nga persona të lidhur me klubin vendas dhe rojet e sigurisë. Në incident përfshihej edhe një person me emrin Burak Hida, i cili nuk u regjistrua në procesverbal, ndërsa i cili sulmoi fizikisht përfaqësuesin e ekipit mysafir, Miftar Shaqirin, duke e goditur me grusht në gjoks, gjë që u pasua nga fyerje verbale dhe sjellje të papërshtatshme ndaj disa anëtarëve të ekipit mysafir. Incidenti zgjati rreth 10 deri në 15 minuta, pas çka me ndërhyrjen e nëpunësve policorë, delegati dhe katër gjyqtarët u shoqëruan në mënyrë të sigurt në hapësirat zyrtare. Përveç kësaj, delegati kërkoi një prani të përforcuar policore me qëllim që të mund të largohej në mënyrë të sigurt nga stadiumi nga ana e ekipit të mysafirëve.”

Sipas raportit, ky incident ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 28-të të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë (PMFL). Tashmë pritet vendimi final i Komisionit Disiplinor për masat ndëshkuese afatgjata ndaj klubit kumanovar.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT