Shkëndija e nis me fitore gjysmësezonin pranveror, pasi mund 2:0 Strugën në kuadër të xhiros së 17-të të LPFMV. Spahiu e Ndzendgue shënuan golat e triumfit.
- Kuqezinjtë e nisin mbarë vitin 2026, duke fituar ndeshjen e parë zyrtare
- Xhiroja e 17-të në LPFMV solli fitore 2:0 në derbin me Struga Trim&Lum
- Pas pjesës së parë pa gola, Shkëndija realizoi dy herë në të dytën
- Sebastian Spahiu me gol dhe asist ishte njeriu vendimtar i fitores
- Ndezngue debutoi me gol, edhe pse hyri në lojë në minutën e 85-të
Kuqezinjtë e kanë nisur në mënyrën më të mirë gjysmësezonin pranveror, duke triumfuar 2:0 ndaj Strugës në derbin e javës së 17-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Pas një pjese të parë pa gola, ku Shkëndija kishte iniciativën por u përball me një Strugë të organizuar mirë në mbrojtje, vendimi erdhi në pjesën e dytë. Ndryshimet në formacion nga trajneri Jeton Beqiri në minutën 66-të dhanë më shumë ritëm dhe presion lojës ofensive, duke sjellë edhe efekt në fund të takimit.
Njeriu i ndeshjes ishte Spahiu, i cili në minutën e 79-të realizoi golin e epërsisë, ndërsa në minutën e 88-të asistoi për Fahd Ndezngue, që vulosi fitoren 2:0. Shkëndija pati edhe raste të tjera për të thelluar rezultatin, por pa mundur të gjente golin e tretë.
Me këtë fitore, Shkëndija ngushton diferencën me Strugën dhe dërgon sinjale të qarta në garën për titullin kampion, ndërsa kampionati vazhdon fundjavën e ardhshme me ndeshjen e xhiros së 18-të.
Ndeshja e radhës
Tikveshi-Shkëndija
Kavadar | 14 shkurt 2026 | 14:00
SHKËNDIJA-STRUGA 2:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Gjyqtar: Igor Stojçevski (Shkup)
Golashënues: Spahiu 79′ dhe Ndzengue 88’ (Shkëndija),
SHKËNDIJA: Gaye, Trumçi, Fetai, Meliqi, Webster, Alhassan (Krasniqi 66’), Islami (Ramadani 66’), Zejnullai, Tamba (Spahiu 66’), Latifi (Murati 90’+3), Ibraimi (Ndzengue 85’).
Trajner: Jeton Beqiri
STRUGA T&L: Angeleti, Ilievski, Bojku (c) (Ivkoviq 84’), Radeski (Maleski 71’), Pape, Aliji (Vosha 60’), Hamza (Zendelovski 71’), Maudo, Kompaore, Mazoulouksis, Diako.
Trajner: Bledi Shkëmbi


