Pas më shumë se 20 viteve pritje dhe pengesave të vazhdueshme administrative, ka nisur zyrtarisht iniciativa për zgjidhjen e problemit që bllokonte pajisjen me leje ndërtimi për banorët e fshatit Nerasht. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, i cili njoftoi se ky bllokim kishte ardhur si pasojë e çështjeve të pazgjidhura që lidheshin me rrjedhat ujore (lumenjtë) në këtë zonë.
Sipas njoftimit, ky problem u kishte pamundësuar banorëve të Nerashtit të aplikonin për leje ndërtimi për dekada me radhë, duke penguar kështu zhvillimin urban dhe investimet e qytetarëve në pronat e tyre.
Kryetari Memishi u shpreh se tashmë procesi ka marrë drejtimin e duhur përmes një trajtimi profesional:
“Pas më shumë se 20 vitesh pritje dhe pengesa, filloi iniciativa për largimin e problemit që u kishte pamundësuar banorëve të Nerashtit të aplikojnë për leje ndërtimi për shkak të çështjes së lumenjve. Sot, më në fund, po i japim drejtim një zgjidhjeje reale dhe profesionale ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”, deklaroi Memishi.
Kjo iniciativë pritet t’i japë fund sagës shumëvjeçare të banorëve, duke hapur rrugën për legalizimin e ndërtimeve dhe planeve të reja zhvillimore në këtë pjesë të komunës.


