Kombëtarja Shqiptare po përgatitet për atë që konsiderohet si “finalja” e parë në rrugëtimin drejt Botërorit 2026. Në prag të përballjes me Poloninë në Varshavë, trajneri Sylvinho ka dalë në një konferencë për media ku ka shpjeguar vështirësitë e këtij takimi dhe gjendjen e skuadrës.
Analiza për Poloninë Sylvinho vlerësoi forcën e kundërshtarit, duke vënë theksin te shpejtësia e tyre në kundërsulm. “Polonia është një skuadër shumë e fortë në tranzicion. Janë të mësuar të luajnë në Europianë dhe Botërorë dhe mund të të ndëshkojnë lehtësisht. Trajneri i tyre, Jan Urban, ka krijuar një grup solid,” u shpreh tekniku brazilian.
Dilemat për formacionin: Muçi dhe Mehmeti Një vëmendje e veçantë iu kushtua dyshes Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti. Sylvinho pranoi se zgjedhja është e vështirë për shkak të cilësive të tyre. “I njohim cilësitë e Muçit dhe Mehmetit. I kemi sjellë në skuadër sepse e dimë që nëse futen në fushë, do ta ndihmojnë ekipin. Duhet t’i përshtatemi situatës, por jam i kënaqur me ta,” tha ai.
Presioni i madh Në fund, i pyetur nëse do të mund të flinte sonte para ndeshjes, Sylvinho dha një përgjigje që tregon përkushtimin e tij maksimal: “A do fle sonte? Kam dy muaj që nuk fle gjumë. Kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme për ne.”
Shqipëria kërkon një rezultat pozitiv në Varshavë për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit historik në Botërorin që do të mbahet në Amerikën e Veriut.


