Sondazhet e fundit në SHBA tregojnë se popullariteti i Presidentit Donald Trump ka pësuar një rënie drastike, duke shënuar nivelin më të ulët që nga fillimi i mandatit të tij të dytë. Sipas një hulumtimi të përbashkët nga “The Washington Post”, ABC News dhe Ipsos, 60% e amerikanëve nuk e miratojnë punën e tij, siç transmeton Kohanews.
Ky “ndëshkim” nga opinioni publik vjen në prag të fjalimit të tij mbi gjendjen e kombit, ku ekonomia dhe politikat doganore mbeten pikat më të nxehta të pakënaqësisë.
Pikat ku Trump po dështon sipas qytetarëve:
-
Inflacioni: Rekord negativ me minus 32 pikë. Qytetarët e shohin shtrenjtimin e jetesës si dështimin kryesor.
-
Politika e tarifave: Masat e tij tregtare (doganat) vlerësohen negativisht me minus 30 pikë.
-
Ekonomia: Edhe pse ka një përmirësim të lehtë krahasuar me tetorin, sërish mbetet në zonën negative (minus 16 pikë).
Ku qëndron më mirë Presidenti? Pika e vetme ku Trump i afrohet një vlerësimi neutral është menaxhimi i kufirit me Meksikën, ku pakënaqësia është minimale (vetëm minus 3 pikë).
Edhe analistë të tjerë, si statistikani i njohur Nate Silver, konfirmojnë se shifrat e Trump janë në rënie të lirë, me vetëm 39-40% mbështetje në rang kombëtar. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë është kundërpërgjigjur duke kujtuar se Trump u zgjodh me votat e rreth 80 milionë amerikanëve dhe mbetet figura dominuese në politikën e vendit.
/ KOHANEWS


