Gjermania, e njohur historikisht për preferencën e saj ndaj pagesave me para në dorë, do të vendosë për herë të parë një kufi ligjor për transaksionet kesh. Ky vendim vjen si pjesë e rregullores së re të Bashkimit Evropian për luftimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, siç transmeton Kohanews.
Ndryshimet do të hyjnë në fuqi zyrtarisht më 10 korrik 2027, duke i dhënë fund lirisë së pakufizuar që ekzistonte deri më sot në ekonominë më të madhe evropiane.
Rregullat e reja që duhet t’i dini:
-
Limiti 10,000 euro: Asnjë blerje nga një biznes (tregtar apo shërbim) nuk mund të paguhet me më shumë se 10,000 euro kesh. Shumat mbi këtë vlerë duhet të paguhen vetëm përmes bankës apo kartelave.
-
Verifikimi i identitetit: Për çdo pagesë kesh që kalon vlerën prej 3,000 eurosh, tregtarët janë të detyruar të kontrollojnë dhe të regjistrojnë letërnjoftimin e blerësit.
-
Përjashtimet: Limiti nuk do të zbatohet për shitblerjet private (p.sh. shitja e një makine mes dy personave fizikë që nuk janë biznese).
Ku qëndron Gjermania në krahasim me fqinjët? Në krahasim me vendet e tjera të BE-së, Gjermania mbetet sërish “liberale”. Për shembull:
-
Në Francë dhe Spanjë, limiti është vetëm 1,000 euro.
-
Në Greqi, pagesat kesh lejohen vetëm deri në 500 euro.
Ky hap shihet si një lëvizje drejt digjitalizimit të plotë të ekonomisë evropiane dhe monitorimit më të rreptë të qarkullimit të mjeteve financiare.
/ KOHANEWS


