Rënie historike e arit – Kolapsi më i madh në 14 vitet e fundit!

Çmimi i arit ka pësuar një rënie dramatike, duke shënuar humbjen më të madhe javore që nga viti 2011, gjë që ka shkaktuar një goditje serioze në tregjet financiare globale.

 

Sipas të dhënave të fundit, ari humbi rreth 9 deri në 10 për qind të vlerës së tij në vetëm një javë, që është rënia më e madhe në më shumë se 14 vjet. Kjo kthesë e papritur vjen në një kohë kur tradicionalisht pritet që ari të rritet si një “strehë e sigurt” në kushtet e krizave gjeopolitike.

Në vend të rritjes, tregjet dëshmojnë një rënie të fortë, e cila sipas analistëve është rezultat i një kombinimi të disa faktorëve. Goditja kryesore vjen nga forcimi i dollarit amerikan dhe rritja e normave të interesit, gjë që e bën arin më pak atraktiv pasi nuk sjell yield (rendiment).

Përveç kësaj, investitorët po shesin masivisht arin për të siguruar likuiditet dhe për të mbuluar humbjet në tregje të tjera, duke krijuar një efekt “shitjeje paniku” dhe duke nxitur më tej rënien e çmimit.

Është interesante se rënia po ndodh pavarësisht përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme, i cili zakonisht rrit interesin për metalet e quýta. Këtë herë, logjika e tregut është e kundërt – investitorët po drejtohen drejt dollarit si mjeti kryesor i sigurt.

Gjatë javës, çmimi i arit ra në rreth 4,570 dollarë për onz, gjë që përfaqëson një nga korrigjimet më të mëdha historike në një periudhë të shkurtër.

Ekspertët paralajmërojnë se tregu po hyn në një fazë të paqëndrueshmërisë së lartë, ku rregullat tradicionale nuk zbatohen më. Edhe pse në planin afatgjatë ari konsiderohet ende si një investim i sigurt, në planin afatshkurtër lëkundjet e forta mund të vazhdojnë.

Mbetet e pasigurt nëse ky është vetëm një korrigjim afatshkurtër apo fillimi i një trendi më të thellë, por një gjë është e sigurt – tregjet globale tashmë kanë hyrë në një fazë të re, shumë më të pasigurt.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT