SHKUP, 10 shkurt 2026 – Policia rrugore e Maqedonisë së Veriut do t’i bashkohet fushatës evropiane për kontrollin e shtuar të autobusëve dhe mjeteve të rënda transportuese. Ky aksion do të realizohet në periudhën prej 9 deri më 15 shkurt, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Fushata realizohet në koordinim me Asociacionin Evropian të Policisë Rrugore (ROADPOL), me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve, me theks të veçantë te shoferët profesionistë.
Çka do të kontrollohet?
Në kuadër të kontrolleve të përforcuara, policia do të verifikojë:
-
Rregullsinë teknike të autobusëve dhe mjeteve transportuese (kamionëve);
-
Respektimin e kushteve ligjore për transportin e fëmijëve;
-
Gjendjen e shoferëve para nisjes së udhëtimeve të organizuara shkollore dhe rekreative.
Fokus edhe te shkeljet e tjera
Përveç mjeteve të rënda, kontrollet do të përfshijnë edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, ku do të ndëshkohen:
-
Tejkalimi i shpejtësisë së lejuar;
-
Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikoaktive;
-
Mosperdorimi i rripit të sigurimit;
-
Transporti i pasigurt i udhëtarëve dhe shkelje të tjera ligjore.
Nga policia rikujtojnë se rregullat e komunikacionit nuk janë rekomandim, por obligim, qëllimi i të cilave është mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.


