Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, është shumë pranë nënshkrimit të kontratës së re me gjigantin italian, Napoli, transmeton KohaNews.
Edhe pse ky sezon ka qenë i karakterizuar nga disa ulje-ngritje për shkak të lëndimeve, drejtuesit e klubit napoletan kanë treguar besim të plotë te mbrojtësi dardan. Sipas raportimeve nga “Tuttosport”, Napolin i ka ofruar Rrahmanit vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2028, me opsion për t’u zgjatur edhe për një vit tjetër.
Me kontratën e re, Rrahmani pritet të përfitojë një rritje të ndjeshme page:
-
Paga e re: Rreth 3.8 milionë euro në sezon.
-
Paga aktuale: Sipas “Capology”, ai fiton momentalisht 3.2 milionë euro.
Përkundër lajmeve të mira për kontratën, shqetësim mbetet gjendja fizike e lojtarit. Rrahmani u detyrua të lëshojë fushën në minutën e 70-të në ndeshjen e fundit kundër Romës (2-2). Ky është lëndimi i tij i tretë për këtë sezon, pas atyre në shtator dhe janar. Ndonëse nuk ka ende një datë zyrtare për rikthimin e tij, dyshohet se ky lëndim mund ta mbajë gjatë jashtë fushave të gjelbra.
Amir Rrahmani po luan sezonin e tij të gjashtë me fanellën e Napolit, ku është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes, pas përvojave të suksesshme te Verona dhe Dinamo Zagreb.
/ KOHANEWS


