Mesfushori shqiptar i Lecce, Medon Berisha, do të mungojë për pesë deri në gjashtë javët e ardhshme pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Pisas pesë ditë më parë. Lojtari u detyrua të largohej herët nga fusha për shkak të një dëmtimi muskulor dhe u transportua me barelë, duke shqetësuar stafin teknik dhe tifozët e klubit verdhekuq.
Sipas raportit mjekësor të klubit, Berisha ka pësuar një dëmtim të shkallës së dytë të muskulit, që do ta mbajë jashtë fushave për të paktën 40 ditë. Rikthimi i tij pritet jo më herët se fundi i janarit 2025.
Për pasojë, 22-vjeçari do të humbasë disa sfida të rëndësishme të kampionatit, përfshirë përballjet ndaj Comos, Juventusit, Romës, Parmës, Interit, Milanit, Lazios dhe Torinos. Dëmtimi vjen në një moment shumë pozitiv për Berishën, i cili ishte shndërruar në një titullar të padiskutueshëm në Serie A.
Para ndalesës së detyruar, Berisha kishte fituar tre herë çmimin “Lojtari i Ndeshjes”, duke dëshmuar formën e shkëlqyer. Ai kishte luajtur 13 nga 15 ndeshjet e këtij sezoni, duke shënuar 2 gola dhe dhuruar 3 asistime, duke u renditur ndër lojtarët më efektivë të skuadrës puljeze.
Mesfushori pritet të jetë i gatshëm për përfaqësuesen shqiptare dhe trajnerin Sylvinho për ndeshjet e play-off-it në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.


