Britaniku Craig Alexander për vite me radhë i ka injoruar simptomat e tumorit në tru, duke menduar se ishin pasojë e stresit në punë. Dhimbjet e kokës, marramendja, dridhjet dhe problemet me shikimin i kishte lidhur me lodhjen, por e vërteta ishte shumë më serioze. Në moshën 35-vjeçare, pas një krize të rëndë, iu diagnostikua një tumor i madh në tru, që ia ndryshoi tërësisht jetën.
“Shenjat paralajmëruese i lidhja me lodhjen” Alexander tregoi se si i kishte neglizhuar shenjat që tregonin për një sëmundje serioze. “Kur e shoh prapa, shenjat paralajmëruese ishin aty, por gjithçka e lidhja me lodhjen, dehidratimin dhe orët e gjata të punës. Asgjë nuk mund t’ju përgatisë për lajmin se keni tumor në tru. Në një moment punoja normalisht, udhëtoja dhe jetoja, e në tjetrin u përballa me një operacion të madh në tru dhe mundësinë shumë reale për të humbur pavarësinë”, tha ai.
Për tumorin mësoi pasi pësoi një krizë në makinë me një koleg, pas së cilës u dërgua urgjentisht në spital. Kontrolli zbuloi një tumor të madh me përmasa 75 me 35 milimetra, i vendosur thellë në pjesën qendrore të trurit. Ai iu nënshtrua operacionit, si dhe radioterapisë dhe kimioterapisë. Për shkak të vendndodhjes së tumorit, pas ndërhyrjes për një kohë nuk mundi as të ecte e as të fliste.
Jeta me tumor dhe përballja me sistemin Sot, në moshën 38-vjeçare, gjendja e Craig është përmirësuar, megjithëse lufta e tij vazhdon dhe përballet me kufizime të caktuara në jetë. “Për shkak të rrezikut katastrofik të dëmtimeve të mëtejshme, nuk ka më opsione kirurgjikale për mua. Jetoj me tumorin. Aktualisht jam i fokusuar në shëndetin tim dhe në rikuperimin e energjisë”, shpjegoi ai.


