Gjiganti kinez BYD po shqyrton hyrjen në Formula 1, qoftë përmes themelimit të një ekipi të ri ose përmes blerjes së një ekipi ekzistues. Ky hap do të përfaqësonte një lëvizje strategjike për marketing global dhe promovimin e automjeteve elektrike.
Popullariteti i Formula 1 sot është më i madh se kurrë dhe gjithnjë e më shumë prodhues globalë automjetesh duan të bëhen pjesë e këtij spektakli. I fundit në radhë është BYD, aktualisht prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike, i cili po konsideron hyrjen në këtë sport elitar.
Kjo vjen në një periudhë rikthimesh dhe partneritetesh të reja nga kompani të mëdha, si Ford me Red Bull Racing, Audi me ekipin e tij fabrike, GM përmes Cadillac, si dhe Toyota Gazoo Racing në bashkëpunim me Haas.
Fokus te energjia elektrike
BYD thuhet se është i interesuar për F1 pjesërisht për shkak të epokës së re të motorëve turbo-hibridë 1.6 litra, ku vëmendje gjithnjë e më e madhe po u kushtohet sistemeve elektrike. Investimi në motosport ofron mundësinë për të promovuar inovacione dhe për të testuar teknologjitë në kushte ekstreme.
Bloomberg raporton se kompania kineze po shqyrton edhe forma të tjera të sporteve motorike, duke përfshirë World Endurance Championship, por Formula 1 mbetet më atraktive për shkak të ndikimit global dhe prestigjit.
Ekip i ri apo blerje e një ekipi ekzistues
Formimi i një ekipi plotësisht të ri në F1 paraqet një sfidë të madhe. Historia tregon se edhe Andrettit iu deshën vite për të bindur investitorët, dhe në fund u desh të hiqte dorë nga një pjesë e kontrollit për të siguruar një vend në nisje.
Një opsion më i lehtë për BYD do të ishte blerja e një ekipi ekzistues. Një lëvizje të ngjashme bëri Audi me blerjen e ekipit Sauber, e cila vlerësohet rreth 600 milionë euro. BYD do të duhet të jetë i përgatitur për kosto të ngjashme, duke përfshirë më shumë se 500 milionë euro në vit për drejtimin e ekipit.
Mbështetja nga FIA dhe marketingu global
Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, ka shprehur gatishmërinë për të mirëpritur kompaninë kineze në F1, duke theksuar se pas ardhjes së ekipeve amerikane, hapi tjetër logjik është mirëpritja e një prodhuesi kinez.
Për BYD, hyrja në Formula 1 do të ishte një lëvizje strategjike marketingu që do të mundësonte forcimin e prezencës globale dhe promovimin e teknologjive elektrike para një audience miliona personash në mbarë botën.
Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e F1
Nëse BYD hyn vërtet në këtë sport, pritet një rritje e ndikimit kinez në F1, teknologji të reja dhe konkurrencë shtesë mes prodhuesve. Një lëvizje e tillë mund të ndryshojë dinamikën e sportit dhe të hapë rrugën për inovacione të reja në sistemet hibride dhe elektrike.
Në këtë mënyrë, Formula 1 do të ndërkombëtarizohej më tej, duke bashkuar lojtarët evropianë, amerikanë dhe tani ata kinezë në luftën për prestigj dhe progres teknologjik.


