Historia e Shërbimit Sekret Shqiptar, nga viti 1912 deri te SHISH

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, Qeveria e parë shqiptare, me kryeministër Ismail Qemalin, nisi procesin e ngritjes së institucioneve të shtetit të ri shqiptar.

 

Në këtë kuadër, më 17 dhjetor 1912, u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. Në vendim thuhej: “Të organizohet një shërbim i fshehur për vise të shkelura të Shqipërisë”. Për organizimin e këtij shërbimi u ngarkuan figura të njohura të kohës, ndër të cilët Lef Nosi dhe Bajram Curri.

Vazhdimësia e shërbimit sekret shqiptar vihet re edhe pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit në vitin 1913, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në periudhën pas saj.

Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës organizoi Këshillin e Naltë dhe risanksionoi ndarjen e pushteteve, si dhe krijoi Ministrinë e Punëve të Brendshme. Më 24 dhjetor 1921, Ahmet Zogu u dekretua ministër i Punëve të Brendshme dhe ndërmori riorganizimin e kësaj ministrie, duke krijuar Seksionin Sekret, i cili u drejtua nga Haki Stërmilli.

Gjatë viteve në vijim, shërbimi sekret shqiptar ka funksionuar me emërtesa të ndryshme: në vitin 1922 si Sekretaria Sekrete, ndërsa në periudhën 1923–1939 si Zyra Sekrete. Në nivel qendror veprimtaria drejtohej nga Zyra Sekrete, ndërsa në nivel vendor nga prefekturat përmes zyrave të posaçme për “çështje rezervate”.

Nga janari 1927, në kuadër të konsolidimit të shtetit shqiptar, u organizua edhe Shërbimi Informativ i Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i përfaqësuar përmes selive diplomatike shqiptare.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën dhjetor 1944 – mars 1945, u krijuan organet e Sigurimit të Shtetit, fillimisht Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit dhe më pas, në vitin 1946, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1966, ky institucion u riorganizua në tre drejtori dhe kjo strukturë mbeti në fuqi deri në vitin 1991.

Pas vendosjes së pluralizmit politik, në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK), i cili në vitin 1999, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, u riemërtua në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).

SHISH ka për detyrë parandalimin, zbulimin dhe ndërprerjen e veprimtarive antikushtetuese që cenojnë sigurinë kombëtare, pavarësinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT