Bruksel, 17 dhjetor 2025 – Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel në samitin vjetor që po shihet si një nga më të rëndësishmit për të ardhmen e zgjerimit të BE-së. Takimi zhvillohet për të katërtin vit radhazi dhe paraprin mbledhjen e fundit të Këshillit Evropian për këtë vit.
Në samit merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka udhëtuar drejt Brukselit që prej pasdites së djeshme. Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë në fokus të veçantë, si dy vendet pararojë në negociatat për anëtarësim, me afate orientuese për hyrjen në BE në vitet 2028 dhe 2029.
Rama dhe homologu i tij malazez, Milojko Spajiç, kanë siguruar përfshirjen në procesin e integrimit gradual, duke përfituar fonde para-anëtarësimi dhe lehtësira të tjera konkrete nga Brukseli.
Samiti do të përqendrohet në gjetjet e Paketës së Zgjerimit 2025, ku Shqipëria dhe Mali i Zi renditen në krye për përparimin e arritur drejt anëtarësimit. Po ashtu, në qendër të diskutimeve do të jetë edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një fond prej 6 miliardë eurosh, i cilësuar në Bruksel si instrument kyç për afrimin ekonomik dhe reformues të rajonit me Bashkimin Evropian.


