Shkup, 30.03.2026 – Bashkëpunimi ndërkomunal paraqet një nga mekanizmat kryesorë sistemorë për përmirësimin e menaxhimit të mjedisit jetësor dhe për sigurimin e shërbimeve cilësore, efikase dhe të qëndrueshme për qytetarët në nivel lokal. Kjo u theksua në ngjarjen konsultative “Përmirësimi dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkomunal në vetëqeverisjen lokale”, e cila u mbajt sot në Shkup, në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Qeverisë së Zvicrës.
Në kuadër të ngjarjes, të cilën e hapi ministri i vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski, u theksua se sfidat mjedisore – ndotja e ajrit, menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e ujërave dhe përballja me rreziqet nga përmbytjet – nuk njohin kufij administrativë dhe kërkojnë një qasje të koordinuar, rajonale dhe sistemore. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërkomunal paraqitet si një instrument i domosdoshëm për tejkalimin e kapaciteteve të kufizuara financiare, teknike dhe kadrovike të komunave.
U theksua veçanërisht se në fushën e menaxhimit të mbeturinave, bashkëpunimi ndërkomunal tashmë paraqet detyrim ligjor, përmes vendosjes së sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave, infrastrukturës moderne dhe deponive rajonale në përputhje me standardet evropiane. Kjo qasje mundëson menaxhim më efikas dhe ekonomikisht të arsyeshëm të mbeturinave, me përfitime të drejtpërdrejta për mjedisin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në diskutime u theksua gjithashtu se një nga sfidat më të mëdha në nivel lokal është kapaciteti i pamjaftueshëm inspektues, ku një numër i konsiderueshëm i komunave nuk kanë të emëruar inspektor për mjedisin jetësor. Në këtë kontekst, bashkëpunimi ndërkomunal hap mundësi për formimin e shërbimeve të përbashkëta inspektuese, zbatimin e kontrolleve të koordinuara dhe përdorimin më efikas të burimeve.
Ngjarja hapi edhe çështje për përmirësimin e mëtejshëm të kornizës ligjore, me qëllim të përcaktimit më të qartë të fushave në të cilat bashkëpunimi ndërkomunal duhet, në disa raste, të jetë i detyrueshëm, si dhe vendosjen e një sistemi më efikas të mbikëqyrjes dhe koordinimit, përfshirë edhe nga institucionet përkatëse.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e përkushtuar në forcimin e koordinimit institucional dhe mbështetjen e vetëqeverisjeve lokale në vendosjen e sistemeve funksionale, të qëndrueshme dhe të harmonizuara me standardet evropiane për menaxhimin e mjedisit, në interes të një cilësie më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët.


