BOLONJA, ITALI – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Marzabottos në Bolonja, ku një aksident rrugor i ka marrë jetën një të riu, i cili dyshohet se është shtetas shqiptar. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm në autostradën Porrettana Nord.
Sipas raportimeve të para nga mediat italiane dhe policia lokale, viktima po udhëtonte me një automjet të tipit “Volkswagen Lupo”. Aksidenti dyshohet se ndodhi gjatë një manovre parakalimi, kur makina u përplas ballë për ballë me një kamion të mbledhjes së mbeturinave.
Si pasojë e forcës së goditjes, mjeti i 33-vjeçarit doli nga rruga dhe u përfshi menjëherë nga flakët. Megjithëse forcat zjarrfikëse, ekipet mjekësore dhe karabinierët mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, për drejtuesin e mjetit ishte tepër vonë, pasi ai ishte djegur për vdekje brenda automjetit.
Policia italiane njoftoi se viktima besohet të jetë një 33-vjeçar shqiptar, banues në zonën e Marzabottos, pasi makina ishte e regjistruar në emrin e tij. Megjithatë, autoritetet theksuan se identifikimi zyrtar nuk është bërë ende i mundur për shkak të gjendjes së rënduar të trupit nga djegiet.
Autostrada Porrettana mbeti e bllokuar për disa orë deri në përfundimin e hetimeve dhe largimin e mjeteve të shkatërruara nga rruga. Karabinierët po punojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.


