Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj punimeve të Kongresit të fundit të BDI-së, duke e cilësuar atë si një “proces farsë” dhe një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike pas rezultateve zgjedhore.
Sipas Mexhitit, në vend të një reflektimi të thellë për humbjen, opinioni pa një “kongres-teatër” ku u shpërndanë pamflete me tema të ashtuquajtura madhore, vetëm për të fshehur dështimin real. Ai vuri në dukje se asnjë zyrtar i lartë nuk u thirr për të dhënë llogari për humbjen e fundit.
“Një rrobë e larë nuk është një rrobë e re” Mexhiti kritikoi ashpër përzgjedhjen e strukturave të reja, duke e quajtur këtë proces si një riciklim të emrave të vjetër.
“Sot pamë riciklimin e emrave të vjetër të cilët tentuan t’i prezantojnë me paketim të ri. Një rrobë e larë nuk është një rrobë e re!” – u shpreh ai përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Kreu i LD-së gjithashtu ngriti dyshime mbi transparencën e procesit, duke e quajtur mënyrën e delegimit të pjesëmarrësve si kontroverse dhe pa asnjë kriter të mirëfilltë nominimi. Sipas tij, pa llogaridhënie reale, çdo lëvizje brenda këtij subjekti mbetet vetëm “pro forma”.


