Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar heqjen e tërësishme të masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës në vitin 2023, duke shprehur shpresën se ky vendim do të merret së shpejti.
Ajo i bëri këto deklarata gjatë takimit me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, në Bruksel, në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor.
Osmani përshëndeti vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, por theksoi se Kosova meriton heqjen e plotë të tyre, pasi ka dëshmuar konstruktivitet dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet evropiane.
“Republika e Kosovës ka treguar përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE-ja, sado që ato ishin të padrejta. Për këtë arsye, nuk ekziston asnjë arsye për të vonuar heqjen e masave të mbetura”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se Kosova pret mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare që, mbi bazën e meritave, të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Takimi në Bruksel u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për samitin BE–Ballkani Perëndimor, ku pritet të diskutohen perspektiva evropiane e rajonit dhe raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.


