Një nga boksierët më të mirë të historisë moderne, Terence Crawford, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga boksi profesionist.
Vendimi i Crawford vjen vetëm tre muaj pas fitores së tij të bujshme ndaj Canelo Alvarez, një duel që u cilësua gjerësisht si një nga momentet kulmore të karrierës së tij.
38-vjeçari e mbyll rrugëtimin në ring si i pamposhtur, duke varur dorezat “në mur” pas një karriere perfekte në aspektin e rezultateve.
“Po tërhiqem nga garat, jo sepse kam mbaruar së luftuari, por sepse kam fituar një lloj beteje. Një betejë ku largohesh sipas dëshirave tua”, ka shkruar Crawford në rrjetet sociale.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Terence Crawford zhvilloi 42 ndeshje, duke i fituar të gjitha, prej të cilave 30 me nokaut, duke u konfirmuar si një nga boksierët më dominues të brezit të tij.


