Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, së bashku me drejtorin e Ndërmarrjes Komunale Publike “Standard”, z. Nertil Osmani, kanë realizuar inspektim në terren të punimeve infrastrukturore dhe gjendjes së rrugës në fshatin Kosovrast i Poshtëm.
Rikonstruimi i rrugës përfshin sanimin e shtresës ekzistuese, përmirësimin e bazamentit, rregullimin e kanaleve për ujërat atmosferike dhe krijimin e kushteve më të sigurta për qarkullim. Sipas autoriteteve komunale, projekti ka për qëllim lidhje më të mirë të fshatit me pjesën urbane të qytetit, rritje të sigurisë në trafik dhe lehtësim të përditshmërisë për banorët dhe bujqit e zonës.
Nga Komuna e Dibrës njoftojnë se krahas këtij projekti, janë në zhvillim edhe aktivitete të tjera, përfshirë pastrimin disaditor të deponisë kryesore të qytetit, inspektimin e projekteve infrastrukturore në pjesën e vjetër të Dibrës, nisjen e projekteve të reja për rikonstruim në vendbanime rurale, si dhe zbukurimin e qytetit në prag të festave të fundvitit.
Autoritetet komunale theksojnë se mbeten të përkushtuara në realizimin e projekteve që synojnë zhvillim të barabartë dhe përmirësim të infrastrukturës në të gjitha vendbanimet e Komunës së Dibrës.


