Forumi Rinor Islam shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën për ngjarjet e fundit të dhunës fizike mes nxënësve të Shkollës Fillore “Dituria” në Saraj, si dhe incidentet e ngjashme të raportuara në disa shkolla të tjera në vend. Pamjet dhe dëshmitë e qarkulluara në opinion dhe rrjetet sociale kanë krijuar një atmosferë pasigurie dhe shqetësimi të thellë, duke ngritur pyetje serioze mbi nivelin e sigurisë që u ofrohet fëmijëve brenda institucioneve arsimore.
Kërkesat ndaj institucioneve përgjegjëse
Forumi Rinor Islam i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprime të menjëhershme dhe konkrete:
-
Hetim i plotë dhe transparent – Të kryhet një hetim i shpejtë, gjithëpërfshirës dhe i hapur për çdo incident të raportuar, përfshirë rastin e fundit në Saraj.
-
Rritje e masave të sigurisë në shkolla – Prioritet duhet të jenë parandalimi i dhunës dhe prania e koordinuar e strukturave përgjegjëse.
-
Fuqizimi i stafit profesional – Të shtohen psikologët dhe punëtorët socio-pedagogjikë dhe të thellohet roli i tyre në ndërhyrjet e hershme dhe të vazhdueshme.
-
Zbatim rigoroz i protokolleve – Të respektohen protokollet zyrtare për reagimin ndaj dhunës në shkolla dhe të angazhohen prindërit në mënyrë aktive dhe të përgjegjshme.
-
Fushata sensibilizuese – Organizim i aktiviteteve në nivel lokal për rritjen e vetëdijes mbi pasojat e dhunës, forcimin e komunikimit dhe promovimin e edukimit etik dhe qytetar tek fëmijët, prindërit dhe komuniteti.
Angazhimi i Forumit Rinor Islam
Forumi Rinor Islam, duke konsideruar edukimin si themelin e zhvillimit individual dhe shoqëror, shpreh gatishmërinë për të kontribuar aktivisht përmes programeve edukative, iniciativave për parandalimin e dhunës dhe kultivimin e vlerave morale tek fëmijët dhe të rinjtë.
Bëjmë thirrje që të gjithë aktorët relevantë të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë.


