Komandant Hoxha: Protesta në Shkup – shumë selfie, pak veteranë

Ish-komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri – Hoxha, ka reaguar ndaj protestës së sotme të zhvilluar në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, duke e cilësuar atë si të zbrazët dhe jo përfaqësuese të vlerave të UÇK-së.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha thekson se UÇK-ja nuk përfaqësohet nga emra apo struktura formale, por nga komandantët, ushtarët, përkrahësit dhe populli. “Kjo është UÇK-ja”, thekson ai.


Kontrasti mes veteranëve dhe pjesëmarrësve të protestës

Hoxha vë në pah situatën e vështirë të shumë ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët përballen çdo ditë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Sipas tij:

“Sa e sa ushtarë të UÇK-së përballen çdo ditë me vështirësi për të siguruar kafshatën e ushqimit për fëmijët e tyre, ndërsa këta, para tubimit, po gëzohen nga verërat e shtrenjta, me ambalazh druri.”


Kritika për përbërjen e protestës

Hoxha kritikon pjesëmarrjen në tubim, duke vënë në dukje se kishte më shumë persona të veshur kuq e zi për të bërë fotografi – selfie – sesa komandantë dhe ushtarë të vërtetë të UÇK-së.

Ai shton se, nëse do të ishin të pranishëm dy batalione veteranësh, sheshi do të ishte mbushur më shumë, ndërsa pjesëmarrja e një brigade të vetme do të kishte mbushur edhe rrugicat përreth.


Politizimi i UÇK-së

Protesta, që ishte në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, u kritikua në opinion publik për politizim. Sipas disa reagimeve, BDI po e keqpërdor UÇK-në për qëllime të ngritjes së saj politike.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT