Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur sot me 7 vota Klodjan Brahon si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Braho merr detyrën në vend të Altin Dumanit, të cilit i përfundoi mandati trevjeçar.
Kush është Klodjan Braho?
Klodjan Braho ka lindur në Skrapar më 21 korrik 1982. Studimet e larta i ka përfunduar në Fakultetin e Drejtësisë gjatë viteve 2000–2004, ndërsa në periudhën 2005–2008 ndoqi Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin si prokuror më 14 nëntor 2007.
Karriera profesionale e Klodjan Brahos përfshin:
-
2007–2012: Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat
-
2012–2015: Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë
-
2014–2015: Zëvendësdrejtues i Prokurorisë së Vlorës
-
2015–2019: Prokuror në Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë
-
Që nga dhjetori 2019: Prokuror në SPAK
Me një karrierë që shtrihet në disa prej institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, Braho konsiderohet ndër prokurorët me përvojë të posaçme në çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në detyrën e re, ai pritet të udhëheqë institucionin për tre vitet e ardhshme, në një periudhë kur SPAK është në fokus të lartë publik dhe ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.


