Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagave, duke sqaruar diferencën mes magjistratëve të zakonshëm dhe gjyqtarëve specialë.
Sipas kryeministrit, magjistratët dhe këshilltarët e zakonshëm kërkojnë një rritje prej 1600 eurosh mbi pagën aktuale. Ndërsa gjyqtarët e GJKKO-së dhe SPAK-ut, të cilët aktualisht marrin 6130 euro në muaj, kërkojnë një rritje prej 3100 eurosh, duke e çuar pagën totale në 9230 euro në muaj.
“Mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në Republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 eurosh! Po, asnjë shaka. Detin ku aktualisht marrin 6130 euro, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 euro plus”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se shqetësimi i tij nuk është vetëm rritja e pagave, por ruajtja e balancës demokratike mes pushteteve, duke theksuar se gjyqtarët specialë kanë aftësinë të marrin vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e qeverisë pa mandat nga populli.
Rama përfundoi reagimin duke pyetur retorikisht: “Si nuk arrin të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate mijëra euro për të rritur pagën tënde?”


