Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në një konferencë për shtyp ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Berisha theksoi se mbi Gjykatën Kushtetuese po ushtrohet presion dhe sulmet ndaj saj janë të papara në historinë e vendit. Ai paralajmëroi se përpjekjet e kryeministrit për të ndikuar vendimet e gjykatës do të kenë pasoja politike dhe institucionale.
“Qytetarë dhe qytetare, mbetet vetëm fjala dhe guximi juaj për të folur për veten, për çdo shqiptar, kudo që është dhe për mbarë Europën dhe botën. Me këtë rast, paralajmëroj Edi Ramën se këto qëndrimet e tij dhe përpjekjet për të mbrojtur veten përmes Gjykatës Kushtetuese do kenë pasoja direkt mbi të, sepse populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë një turpërim të tillë”, deklaroi Berisha.
Ai kundërshtoi gjithashtu interpretimin e Ramës mbi Komisionin e Venecias, duke theksuar se ky komision nuk ka paragraf që ndalon pezullimin e ministrit dhe se vendimi i tij është i bazuar si akt kushtetues.
Berisha mbështeti reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve, duke e konsideruar si mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës. Ai kritikoi gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pranuar padinë e kryeministrit, duke e quajtur një nënshtrim ndaj tij.
Kryedemokrati paralajmëroi nisjen e protestave nga opozita, si rruga për të mbrojtur votën e lirë dhe të drejtat kushtetuese:
“Prandaj protestat, e kam theksuar dhe e theksoj, janë dhe do jenë rruga jonë e vetme për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë”, tha Berisha.


