HARAÇINË – Klubi Futbollistik Shkëndija e Haraçinës ka lëshuar një reagim zyrtar në prag të ndeshjes si mysafir kundër Kozhuvit të Gjevgjelisë, duke denoncuar vendimin e klubit vendas për të mos lejuar praninë e tifozëve mysafirë në stadium.
Sipas njoftimit të klubit nga Haraçina, kryesia e Kozhuvit ka refuzuar kërkesën për pranimin e publikut mysafir, pavarësisht se stadiumi i plotëson kushtet e nevojshme. Shkëndija e Haraçinës e cilëson këtë veprim si të pashpjegueshëm dhe të njëanshëm, duke theksuar gjithashtu një mungesë të plotë të komunikimit institucional nga ana e nikoqirëve.
“Nga ana e tyre ka mungesë komunikimi, pasi kanë refuzuar edhe kontaktin telefonik. Përmes një mesazhi (SMS), jemi njoftuar se vetëm 10 persona nga kryesia e klubit tonë do të lejohen të hyjnë në stadium,” thuhet në reagimin e klubit.
Përballë kësaj situate, kryesia e KF Shkëndija Haraçinë ka paralajmëruar hapat e radhës:
-
Njoftimi i Federatës së Futbollit (FFM): Për sjellje joprofesionale dhe josportive nga ana e klubit vendas.
-
Kërkesë për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB): Sqarim nëse institucionet mund të garantojnë sigurinë për tifozët mysafirë.
Klubi e konsideron këtë vendim si një goditje ndaj frymës sportive dhe kërkon llogaridhënie nga organet drejtuese të futbollit në vend.


