Këto vende mund të jenë të parat që mbeten pa naftë

Përpara luftës, rreth 40 tankera që transportonin afërsisht 20 milionë barale naftë bruto dhe produkte të rafinuara nafte kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit çdo ditë. Këtë javë, Irani lejoi të kalonin vetëm disa tankera, mes të cilëve anije nën flamujt e Indisë dhe Kinës.

 

Sipas analistit Mike Wittner dhe ekipit të tij të ekspertëve për tregun e mallrave nga banka Societe Generale, momentalisht rrjedha përmes ngushticës vlerësohet në rreth 500.000 barale në ditë, në varësi të vullnetit të Iranit.

Pavarësisht kësaj, çuditërisht, një pjesë e madhe e naftës së “bllokuar” megjithatë arrin në tregje ose të paktën mbush kapacitetet magazinuese. Arabia Saudite mbështetet në tubacionin e saj të planifikuar prej kohësh dhe të zgjeruar Lindje–Perëndim, i cili do të punojë me kapacitet maksimal për transportin e deri në shtatë milionë barale në ditë deri në portin Yanbu në Detin e Kuq. Ngjashëm, Emiratet e Bashkuara Arabe po ridrejtojnë një pjesë të naftës përmes tubacionit deri në portin Fujairah, duke anashkaluar ngushticën, megjithëse ekzistojnë raporte se Irani e ka sulmuar atë infrastrukturë.

Analistët nga kompania Jefferies vlerësojnë se në vendet e Gjirit momentalisht është pezulluar prodhimi prej gjashtë deri në shtatë milionë barale në ditë. Firma konsulente “Energy Aspects” ndërkaq konsideron se ndërprerjet lidhur me Ngushticën e Hormuzit mund të arrijnë kulmin prej 10 milionë barale në ditë. Ndërkohë, prodhimi total i naftës bruto të OPEC-ut u reduktua për shtatë milionë barale në ditë, në 22,3 milionë — që përfaqëson rreth 7% të konsumit botëror ditor prej 100 milionë barale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si prodhuesi më i madh botëror i naftës dhe gazit natyror, janë pjesërisht të mbrojtura nga tronditje të tilla në furnizim. Megjithëse çmimet e benzinës dhe dizelit mund të rriten ndjeshëm, një mungesë e plotë është pak e besueshme.

Megjithatë, shumë vende të tjera nuk kanë një siguri të tillë. Mianmari, Vietnami dhe Filipinet marrin më shumë se 80% të naftës së tyre përmes dërgesave që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Ato disponojnë rezerva për rreth një muaj, pas së cilës do të duhet të kërkojnë burime alternative.

Situata është veçanërisht e ndjeshme në Singapor, i cili zakonisht importon rreth 680.000 barale naftë bruto në ditë përmes ngushticës dhe ka rezerva për vetëm 40 ditë. Tailanda është në një pozicion pak më të mirë, me rreth 50 ditë mbulim për 400.000 barale e saj në ditë.

Taivani, i cili importon 525.000 barale në ditë, mund të rezistojë rreth 100 ditë. Bangladeshi gjithashtu ka rezerva për afërsisht 100 ditë, por tashmë ka vendosur racionimin e karburantit dhe ka mbyllur fabrikat e plehrave artificiale. Megjithëse nuk importon sasi të mëdha nafte bruto, pothuajse i gjithë furnizimi i tij kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ekonomitë më të mëdha kanë më shumë opsione. Korea e Jugut importon rreth tre milionë barale në ditë, prej të cilave dy milionë përmes ngushticës, dhe ka rezerva për rreth 50 ditë pa import, gjegjësisht 70 ditë nëse zëvendësohen vetëm dërgesat nga Hormuzi. E ngjashme është situata edhe në Indi, e cila disponon rezerva strategjike prej 175 milionë barale dhe nevoja ditore prej rreth pesë milionë barale, prej të cilave 45% vijnë përmes ngushticës.

Indonezia ka kapacitet të rezistojë mbylljen e ngushticës deri në 160 ditë, ndërsa Japonia, falë rezervave të saj të mëdha strategjike, mund të funksionojë rreth 200 ditë pa dërgesa përmes Ngushticës së Hormuzit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT