Komuna e Tetovës ka reaguar ashpër përmes një demanti drejtuar akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe lëvizjes “Më mirë për Tetovën”, lidhur me projektin e digjitalizimit të rrjetit të ujësjellësit. Sipas autoriteteve komunale, pretendimet për koncesionim të ujit janë manipulime të pastra politike.
“Uji mbetet i tetovarëve” Në reagimin e saj, Komuna sqaron se projekti synon t’i japë fund epokës së keqpërdorimeve dhe kyçjeve ilegale. Sipas shifrave të prezantuara, aktualisht rreth 70% e ujit në Tetovë humbet ose vidhet për shkak të sistemit të vjetruar dhe mungesës së kontrollit.
“Projekti i digjitalizimit nuk është koncesion, por fundi i epokës ku qytetarët e ndershëm paguanin faturat e atyre që keqpërdorin apo vjedhin ujin,” thuhet në njoftimin e Komunës.
Krahasimi me menaxhimin e mbeturinave Duke iu kundërpërgjigjur kritikave për “barrë mbi qytetarët”, Komuna mori si shembull suksesin me kompaninë “Saubermacher” në menaxhimin e mbeturinave dhe deponinë e Rusinos. Sipas tyre, ashtu siç u zgjidh problemi i mbeturinave që digjeshin në rrugë, edhe digjitalizimi i ujit është e vetmja rrugë për të shpëtuar sistemin nga kolapsi total, ku humbjet rrezikojnë të shkojnë në 90%.
Përmes këtij projekti, Komuna e Tetovës synon të vendosë rregull dhe përgjegjësi në pagesa, duke garantuar që uji të jetë i mbrojtur dhe i menaxhuar në mënyrë profesionale.
Tags: #Tetova #KomunaTetovë #Ujësjellësi #Digjitalizimi #BDI #MëMirëPërTetovën #Saubermacher #LajmeTetovë


