02.03.2026 – Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, të njohur si grupi E3, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me sulmet ushtarake aktuale dhe tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, transmeton kohanews. Tre fuqitë evropiane kanë dënuar ashpër sulmet iraniane me raketa, duke i cilësuar ato si “pa dallim dhe joproporcionale”.
Në deklaratë thuhet se forcat evropiane do të ndërmarrin hapa konkretë për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare, si dhe sigurinë e aleatëve të tyre në rajon. Sipas njoftimit, masat që po shqyrtohen përfshijnë mundësinë e “veprimeve mbrojtëse të nevojshme dhe proporcionale”, me qëllim neutralizimin e raketave dhe dronëve iranianë direkt në vendet e tyre të lëshimit.
Liderët e E3 theksuan se do të bashkëpunojnë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me aleatët e tjerë të pranishëm në Lindjen e Mesme, për zbatimin e këtyre aktiviteteve ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme britanike njoftoi se rreth 94,000 qytetarë të Britanisë së Madhe kanë regjistruar qëndrimin e tyre në vendet e Gjirit përmes sistemit qeveritar të regjistrimit. Këto të dhëna nënvizojnë shqetësimin e madh të liderëve evropianë për sigurinë në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i frikësohet një eskalimi të mëtejshëm që mund të përhapet përtej Lindjes së Mesme.
kohanews/


