02.03.2026 – Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në tregtimet e para pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet kundër Iranit gjatë fundjavës, transmeton kohanews.
Nafta bruto amerikane u rrit me rreth 8 dollarë për fuçi, ose 12 për qind, duke arritur në rreth 75 dollarë mbrëmjen e së dielës në hapjen e tregtimit të kontratave “futures”. “Brent”, çmimi referencë ndërkombëtar i naftës, u rrit me më shumë se 12 për qind në rreth 82 dollarë për fuçi. Të premten, “Brent” e mbylli tregtimin me pak mbi 73 dollarë.
Në të njëjtën kohë, indekset e aksioneve pësuan rënie të menjëhershme. Kontratat për indekset S&P 500, Nasdaq dhe Dow Jones ranë me më shumë se 1 për qind. Nga ana tjetër, aksionet e kompanive të naftës si Exxon dhe Chevron u rritën me rreth 2 për qind.
Rritja e çmimeve ishte e pritshme edhe para fillimit të konfliktit. Nafta “Brent” ishte rritur tashmë me rreth 8 për qind brenda një muaji përpara fillimit të tregtimit aziatik të hënën, për shkak të frikës nga ndërprerjet e mundshme të furnizimit.
Një periudhë e zgjatur e çmimeve të larta të naftës me shumicë do të nënkuptonte karburant më të shtrenjtë, por edhe bartje të kostove më të larta të energjisë përmes zinxhirëve të furnizimit. Gjatë ditës pritet të bëhet më e qartë nëse kjo rritje do të ndikojë në pritshmëritë e tregjeve financiare.
Analistët ende nuk presin një përsëritje të shokut energjetik që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë, deçse paralajmërojnë se konflikti i ri mund të përshpejtojë rritjen e çmimeve në një kohë kur pritej që ato të stabilizoheshin gradualisht.
kohanews/


