SHKUP – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar ndryshimet ligjore që mundësojnë nënshkrimin e aneksit të ri për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, dokument ky që parashikon 186 milionë euro shtesë dhe një afat të ri për përfundimin e punimeve deri në qershor të vitit të ardhshëm, raporton Kohanews.
Kjo pjesë rrugore prej 57 kilometrave, e cila ka filluar të ndërtohet para 12 viteve, ka kërkuar financim shtesë për shkak të punimeve që nuk ishin parashikuar në projektin fillestar. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit të kaluar për këtë projekt janë shpenzuar rreth 558 milionë euro, ndërsa deri më tani në qarkullim janë lëshuar vetëm 40 kilometra të autostradës.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, sqaroi se mjetet e reja do të përdoren kryesisht për stabilizimin e rrëshqitjeve të dherave përmes ndërtimit të 14 galerive, vendosjen e rrethojave mbrojtëse sipas standardeve evropiane dhe ndërtimin e një qendre kontrolli për tunelet. Aneksi i nënshkruar mes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe kompanisë kineze “Sinohydro” përfshin gjithashtu ndërtimin e rrugëve hyrëse për lidhjen e fshatrave Arbinovë, Izdeglavje, Novo Sellë, Botun, Mesheishtë, Trebenishtë dhe Podmolle me qytetin e Ohrit.
Me këtë shtyrje të re dhe infuzion financiar, kontraktori merr përsipër detyrimin për të përfunduar plotësisht këtë aks rrugor strategjik, i cili ka mbetur peng i ndërtimeve dhe dështimeve projektuese për më shumë se një dekadë. Qytetarët dhe turistët tashmë shpresojnë që ky të jetë aneksi i fundit për projektin që ka thyer të gjitha rekordet e zvarritjes në rajon.
/ KOHANEWS


