SHKUP – Fakulteti Juridik i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ka njoftuar sot vendimin e Këshillit Mësimor-Shkencor për avancimin akademik të Kaltrina Zekolli Shaqirit. Me shumicë votash, ajo është titulluar zyrtarisht Profesor Doktor Inordinar, një etapë kjo që shënon një arritje kulmore në karrierën e saj akademike, raporton Kohanews.
Zekolli Shaqiri, e cila aktualisht ushtron detyrën e Zëvendësministres së Transportit dhe Lidhjeve, përmes një mesazhi emocionues ka cilësuar këtë rrugëtim si një “maratonë të gjatë” të mbushur me sfida dhe sakrifica, por të udhëhequr gjithmonë nga besimi te dija dhe përkushtimi. Ndonëse mban një funksion të lartë ekzekutiv, ajo theksoi se akademia mbetet thelbi i identitetit të saj profesional.
“Akademia është vendi ku janë formësuar parimet, mendimi kritik dhe përgjegjësia ime ndaj shoqërisë. Ky titull është një nder, por mbi të gjitha një përgjegjësi e re për të vazhduar kontributin me integritet në shkencë dhe arsim,” u shpreh ajo.
Një falënderim të veçantë Profesorja ua dedikoi prindërve të saj, duke i cilësuar ata si shtyllën kryesore të suksesit dhe mbështetjen e palëkundur që e shoqëroi deri në këtë gradë të lartë shkencore. Avancimi i saj vjen si rezultat i një pune kërkimore-shkencore të vazhdueshme dhe angazhimit të palodhshëm në edukimin e brezave të rinj të juristëve në vend, krahas angazhimeve të saj në dikasterin e transportit.
/ KOHANEWS


