Një operacion i gjerë i autoriteteve doganore në Durrës ka çuar në sekuestrimin e mbi 103 mijë artikujve të veshjeve të falsifikuara, duke goditur një rast të rëndë të cenimit të pronësisë intelektuale.
Sipas Drejtorisë së Antikontrabandës, në bashkëpunim me degën doganore të Durrësit, janë bllokuar mallra që mbanin logot e markave të njohura ndërkombëtare si Adidas, Nike, Gucci, Dior, Hugo Boss dhe Calvin Klein. Mes tyre u gjetën edhe bluza sportive të ekipeve të njohura europiane, të dyshuara si kopje të paligjshme.
Autoritetet kanë nisur procedurat administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka theksuar se do të vijojë politikën e tolerancës zero ndaj çdo rasti që shkel Kodin Doganor dhe ligjin për pronësinë intelektuale.
Kontrollet ndaj subjekteve me risk pritet të intensifikohen, me qëllim mbrojtjen e tregut vendas dhe konsumatorëve nga produktet e falsifikuara.


