Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm për vendin, transmeton KohaNews.
Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, ky dekorim vjen si vlerësim për mbështetjen e palëkundur të Kearns ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës, si dhe për përkushtimin e saj të vazhdueshëm në funksion të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani u shpreh se populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për angazhimin e deputetes britanike në ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballet rajoni. Ajo e cilësoi Kearns si një “mike të madhe të Kosovës”, duke vënë në dukje rolin e saj kyç në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kearns ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në Parlamentin Britanik sa i përket mbrojtjes së interesave të Kosovës dhe denoncimit të ndërhyrjeve destabilizuese në rajon.
/ KOHANEWS


