STRUGË – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka qëndruar sot në një vizitë pune në qytetin e Strugës, ku ka takuar strukturat e koalicionit VLEN. Ky takim vjen si pjesë e angazhimit të tij për të mbajtur një komunikim të drejtpërdrejtë me terrenin mbi zhvillimet e fundit politike në vend.
Gjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Sali u fokusua te situata e përgjithshme politike dhe pozicionimi i faktorit shqiptar në proceset qeverisëse. Ai vlerësoi lart frymën e bashkëpunimit që po tregojnë aktivistët në Strugë, duke e cilësuar atë si kyçe për realizimin e objektivave të koalicionit.
“Bashkimi dhe sinergjia që shfaqet në të gjitha vendet dëshmon se VLEN-i është forca e vetme shqiptare,” deklaroi numri dy i qeverisë, duke nënvizuar se uniteti i brendshëm është garancia më e madhe për stabilitetin politik.
Vizita e zëvendëskryeministrit Sali në Strugë shërbeu gjithashtu për të informuar strukturat mbi hapat e radhës të ekzekutivit dhe për të siguruar koordinim të plotë mes politikave qeveritare dhe nevojave të qytetarëve në nivel lokal.


