Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dalë fituese e zgjedhjeve me 49,79% të votave, që i përkthehet në rreth 55 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Megjithëse fituese bindëse, VV nuk e arrin e vetme shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për formimin e qeverisë.
Partitë tjera parlamentare shqiptare renditen si më poshtë: PDK me rreth 23 deputetë, LDK me 15, dhe AAK me 7 deputetë. NISMA Socialdemokrate, me 1,71% të votave, mbetet jashtë Kuvendit. Srpska Lista mban 10 vende të garantuara, ndërsa komunitetet tjera jo-serbe gjithsej 10 deputetë.
Skenarët e mundshëm të koalicionit
Skenari më i mundshëm numerikisht është VV në bashkëpunim me komunitetet jo-serbe, që do t’i siguronte 65 deputetë, një shumicë e qëndrueshme pa varësi nga Lista Serbe. Një tjetër opsion është koalicioni VV–AAK, me 62 deputetë, por me shumicë minimale dhe ndjeshmëri të lartë politike.
Një koalicion i gjerë VV–LDK do të prodhonte një shumicë të fortë prej 70 deputetësh, por mbetet politikisht më pak i pritshëm për shkak të raporteve të mëparshme mes dy subjekteve. Ndërkohë, opozita e bashkuar (PDK, LDK, AAK dhe komunitetet jo-serbe) nuk i arrin numrat për të formuar qeveri pa përfshirjen e VV-së.


