Aksioni i SPAK rreth dosjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku është përshkallëzuar sot me kontrolle të befasishme në banesa dhe zyra. Me urdhër të GJKKO-së, Policia e Shtetit ka zbarkuar te personat e lidhur me numrin dy të qeverisë, duke përfshirë edhe emra të njohur të botës së biznesit.
Hetimet për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe
Balluku, e marrë zyrtarisht e pandehur më 3 nëntor, akuzohet për paracaktim të garave në tendera miliona eurosh.
-
Tuneli i Llogarasë: Një projekt me vlerë 220 milionë euro që dyshohet se është manipuluar.
-
Unaza e Madhe: Procedura të tjera prokurimi në Tiranë që janë nën lupën e SPAK.
Drejt arrestimit?
Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit heqjen e mandatit të Ballukut për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Megjithatë, mazhoranca po e zvarrit procedurën, duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 22 janar.
Deri më tani nuk raportohet për masa sigurie të reja, por sekuestrimi i dokumentacionit te biznesmenët e dyshuar pritet të zbardhë detaje të reja tronditëse nga afera e tenderave.


