TETOVË, 31 Dhjetor 2025 – Për tifozët e Shkëndijës, viti 2026 nuk është thjesht një vit i ri, por viti i shpresës së madhe për t’u rikthyer në shtëpi. Pas një periudhe të gjatë “mërgimi” në Shkup për ndeshjet ndërkombëtare, projekti i stadiumit të ri të Tetovës ka hyrë në fazën e tij vendimtare, duke bërë që “Ballistët” të numërojnë mbrapsht ditët kur futbolli i niveleve evropiane do të luhet sërish nën hijen e Sharrit, transmeton KOHANEWS.
Jo më udhëtime drejt Shkupit
Tifozët tetovarë janë lodhur nga harxhimet dhe rruga e gjatë drejt Shkupit për të ndjekur ekipin e zemrës në garat ndërkombëtare. Kthimi në Tetovë do të thotë:
-
Kursim kohe dhe parash: Mijëra tifozë nuk do të kenë më nevojë për shpenzime ekstra udhëtimi.
-
Atmosferë elektrizuese: Stadiumi i ri është projektuar që tribuna të jetë shumë afër fushës, duke e kthyer atë në një “fortesë” kuqezi.
-
Identitet: Shkëndija e Tetovës ka kuptim vetëm kur luan në Tetovë, aty ku rreh zemra e tifozërisë.
Vizita e fundvitit: Faktorët konfirmojnë afatet
Në një inspektim të fundit të punimeve në fund të këtij viti, u mblodhën bashkë krerët kryesorë që po jetësojnë këtë projekt: Bilall Kasami (Kryetar i Komunës), Lazim Destani (Ecolog), Masar Omeragiç (FFM) dhe Armand Duka (FSHF).
-
Masar Omeragiç (FFM): Konfirmoi se punimet po ecin me ritëm të shpejtë dhe se me fondet e FIFA-s dhe UEFA-s, brenda 1 vit e gjysmë stadiumi do të jetë plotësisht i gatshëm. Sipas tij, faza e montimit të ulëseve dhe mbulimi i tribunave janë prioritet.
-
Lazim Destani (Ecolog): Njeriu që insistoi për një stadium krejtësisht të ri nga zeroja, premtoi monitorim të vazhdueshëm: “Do t’ju rri afër që punimet të ecin edhe para afatit, që Shkëndija të luajë sa më shpejt këtu.”
-
Bilall Kasami: Siguroi se Komuna e Tetovës do të jetë garant i afateve, me qëllim që qyteti të kthehet në një qendër rajonale futbolli.
Një stadium i kategorisë elite
Stadiumi nuk do të jetë vetëm një fushë futbolli, por një impiant që plotëson kriteret strikte të UEFA-s. Kjo do të thotë se nga viti i ardhshëm, delegatët e UEFA-s do të japin dritën jeshile që ndeshjet e Conference League apo kualifikueset e tjera të luhen drejtpërdrejt në Tetovë, pa pasur nevojë për asnjë harxhim apo lëvizje jashtë qytetit.
“Dëshira jonë është që në 2026-tën të mos jemi më mysafirë në Shkup, por zot shtëpie në stadiumin tonë modern,” shprehen përfaqësues të tifozëve.


