“Shipkovica në ‘këmbë’ për rrugën drejt Prizrenit: Takim vendimtar në Komunën e Tetovës.”

TETOVË – Bashkësia Vendore e Shipkovicës ka lëshuar një thirrje të rëndësishme për të gjithë bashkëfshatarët e tyre, pronat e të cilëve preken nga hapja e trasesë së rrugës së shumëpritur Tetovë – Prizren.

 

Përmes një njoftimi zyrtar, pronarët e tokave ftohen të marrin pjesë në një takim informativ që do të mbahet me kreun e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe inxhinierin mbikëqyrës, Muharem Muharemi.

Detajet e takimit:

  • Data: 04 Maj 2026

  • Ora: 15:00

  • Vendi: Salla e madhe e Komunës së Tetovës

Pjesëmarrja dhe Sqarimet

Këshilli i Bashkësisë Vendore bën me dije se pjesëmarrja në këtë takim është obligative për të gjithë ata që përfshihen në listën e shpronësimit për trasenë e rrugës. Ky takim është iniciuar nga vetë Bashkësia Vendore, me qëllim që pronarët të informohen drejtpërdrejt nga organet kompetente përpara se kompanitë të nisin punimet në terren.

“Këshilli i Bashkësisë Vendore të Shipkovicës bëri më të mirën të mundshme për pronarët shipkovicas që para se të fillojë puna nga kompanitë për hapjen e trasesë, u propozuam që të bëhet ky takim informativ me organet përgjegjëse komunale,” thuhet në njoftim.

Thirrje për diasporën

Duke qenë se një pjesë e pronarëve jetojnë dhe veprojnë në diasporë, bëhet thirrje që të gjithë ata që kanë qasje në këtë informacion t’i njoftojnë familjarët e tyre jashtë vendit, pasi pas këtij takimi, Këshilli i Bashkësisë Vendore nuk mban më përgjegjësi për informime shtesë.

Lista me emrat e pronarëve (e lëshuar nga organet kompetente) tashmë është bërë publike pranë Bashkësisë Vendore, ndërsa takimi i 4 majit do të jetë vendimtar për sqarimin e të gjitha procedurave teknike dhe juridike rreth pronave të tyre.


KohaNews

TË NDRYSHME

TË FUNDIT